Parimet Editoriale
Faktet nuk janë çështje debati
Republika nuk u themelua për t’i dhënë zë secilit pretendim. U themelua për t’i dhënë përparësi të vërtetës.
Në një republikë demokratike, qytetarët kanë të drejtë të kenë mendime të ndryshme. Kanë të drejtë të mos pajtohen për politika, ideologji, besime e vizione. Por askush nuk ka të drejtë mbi faktet.
Faktet nuk votohen. Nuk negociohen. Nuk përshtaten sipas interesit të pushtetit, opozitës, biznesit apo turmës. Ato ekzistojnë pavarësisht se kujt i pëlqejnë e kujt jo.
Prandaj, detyra jonë nuk është t’i kënaqim të gjithë. Detyra jonë është t’i verifikojmë, t’i dokumentojmë dhe ta raportojmë atë që mund të provohet.
Ne e dimë se gazetarinë e bëjnë njerëzit dhe se askush nuk është i pagabueshëm. Por pikërisht për këtë arsye, REPUBLIKA nuk do ta ndërtojë besueshmërinë mbi bindje personale, por mbi prova. Çdo fakt do t’i nënshtrohet verifikimit. Çdo dokument do të shqyrtohet. Çdo pretendim do të ballafaqohet me dëshmi. Kur gabojmë, do ta pranojmë publikisht dhe do ta korrigjojmë pa vonesë.
Ne nuk besojmë në atë që shpesh quhet “balancë”, kur e vërteta vendoset në të njëjtën peshore me gënjeshtrën. Paanshmëria nuk do të thotë t’u japësh peshë të barabartë faktit dhe mashtrimit. Do të thotë t’i trajtosh të gjithë me të njëjtin standard të verifikimit.
Republika do ta ndajë gjithmonë lajmin nga analiza dhe analiza nga opinioni. Lexuesi ka të drejtë ta dijë kur po e lexon një fakt të provuar, kur po e lexon një shpjegim dhe kur po e lexon një qëndrim.
Ky është themeli ynë.
Jo zhurma.
Jo propaganda.
Jo interesat.
Por faktet.
Sepse pa fakte nuk ka besim. E pa besim nuk ka republikë.
Kontributi juaj ndihmon Republikën të prodhojë gazetari të pavarur, të saktë dhe të mbështetur në fakte. Çdo mbështetje financon raportimin, verifikimin dhe formimin e brezit të ri të gazetarëve në Kosovë.
Mbështete Republikën
Misioni ynë
Republika është gazetë e përditshme digjitale, e themeluar për t’i shërbyer qytetarëve të Republikës së Kosovës me gazetari të pavarur, të saktë dhe të mbështetur në fakte.
Ne raportojmë për politikën, drejtësinë, administratën publike, ekonominë, sigurinë, çështjet sociale, arsimin, shëndetësinë, kulturën, median, ndonjëhere edhe sportin dhe çdo zhvillim tjetër që e prek jetën e qytetarëve.
Ne nuk jemi këtu për t’u treguar njerëzve çfarë duhet të mendojnë.
Jemi këtu për t’ua dhënë informacionin e nevojshëm që secili ta krijojë gjykimin e vet.
Besojmë se gazetaria nuk është megafon i pushtetit dhe as vegël e opozitës.
Gazetaria është shërbim publik.
Pavarësia editoriale
Republika është pjesë e The Frontline Media Group, grup mediatik me seli në Londër.
Megjithatë, asnjë parti politike, asnjë institucion shtetëror, asnjë biznes, sponzor apo individ nuk ka të drejtë të ndikojë në vendimet tona editoriale.
Besnikëria jonë është vetëm ndaj publikut.
Çdo gazetar i Republikës do të jetë i lirë ta hetojë këdo që ushtron pushtet, pa marrë parasysh pozitën, ndikimin, emrin apo përkatësinë politike.
Ne besojmë se pushteti nuk respektohet duke u frikësuar prej tij.
Kontributi juaj ndihmon Republikën të prodhojë gazetari të pavarur, të saktë dhe të mbështetur në fakte. Çdo mbështetje financon raportimin, verifikimin dhe formimin e brezit të ri të gazetarëve në Kosovë.
Mbështete Republikën
Brezi i ri i gazetarisë
Republika e nis rrugëtimin me një redaksi prej dy gazetarësh.
Por ambicia jonë është shumë ma e madhe se numri ynë.
Ne synojmë t’i hapim dyert për studentët dhe të diplomuarit e Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, duke u ofruar mundësinë ta mësojnë gazetarinë në praktikë, jo si zanat propagande, por si profesion të së vërtetës.
Do t’i mësojmë të verifikojnë para se të publikojnë.
Të dëgjojnë para se të gjykojnë. Të kërkojnë prova para se të shkruajnë. Të kenë guxim pa e humbur maturinë. Të jenë të pavarur pa e humbur ndershmërinë.
Besojmë se Kosova ka nevojë për një brez gazetarësh që nuk maten me afërsinë ndaj pushtetit, por me afërsinë ndaj të vërtetës.
Ky është zotimi ynë. Ky është identiteti ynë. Ky është premtimi i Republikës ndaj çdo lexuesi
Kontributi juaj ndihmon Republikën të prodhojë gazetari të pavarur, të saktë dhe të mbështetur në fakte. Çdo mbështetje financon raportimin, verifikimin dhe formimin e brezit të ri të gazetarëve në Kosovë.
Mbështete Republikën
.



