Nga 25 nëntori 2026, gazeta Republika do t’i shoqërojë artikujt me përmbajtje politike me një pasqyrë të dokumentuar të kontekstit historik, politik, institucional dhe gjeopolitik të Republikës së Kosovës. Redaksia do të ndërmarrë gjithashtu një proces sistematik të hulumtimit dhe dokumentimit të historikut të qeverisjes së të gjitha partive politike në vend.
Londër, 24 nëntor 2026 - Redaksia e gazetës Republika, botim i The Frontline Media Group me seli në Londër, njofton publikun se, duke filluar nga sot, çdo artikull informativ, analizë, reportazh apo hulumtim me përmbajtje politike do të shoqërohet me një seksion të posaçëm, të titulluar “Konteksti historik dhe politik i Kosovës”.
Ky vendim editorial e përbën një standard të ri në politikën editoriale të gazetës sonë dhe buron nga bindja se informimi i qytetarit nuk mund të konsiderohet i plotë nëse zhvillimet e së tashmes shkëputen nga rrethanat historike, politike dhe institucionale që i kanë prodhuar ato.
Kosova nuk e ka filluar historinë e saj politike me zgjedhjet e fundit, me qeverinë e radhës apo me deklaratën e fundit të një diplomati ndërkombëtar. Republika e Kosovës është rezultat i një historie të gjatë shtypjeje, rezistence, lufte, ndërhyrjeje ndërkombëtare, përpjekjesh diplomatike dhe ndërtimi institucional, por edhe i një përballjeje të vazhdueshme me sfidat e brendshme të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Raportimi për zhvillimet politike në Kosovë, pa ia kujtuar lexuesit këtë kontekst, rrezikon ta paraqesë pasojën si shkak, reagimin si provokim dhe një zhvillim të izoluar si fillimin e një problemi që, në të vërtetë, mund t’i ketë rrënjët shumë më të hershme.
Konteksti si përgjegjësi gazetareske
Në një mjedis informativ ku lajmi konsumohet gjithnjë e më shpejt, ku deklaratat politike qarkullojnë të shkëputura nga faktet historike dhe ku kujtesa publike shpesh kufizohet në ciklin e fundit të lajmeve, REPUBLIKA konsideron se gazetaria ka përgjegjësi jo vetëm të informojë, por edhe t’i ofrojë lexuesit mjetet për ta kuptuar informacionin.
Seksioni i ri editorial do të përfshijë, ndër të tjera:
Historinë e shtypjes sistematike të shqiptarëve të Kosovës, luftën e viteve 1998-1999, krimet e dokumentuara dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Procesin e shpalljes së pavarësisë, arkitekturën kushtetuese të Republikës dhe garancitë institucionale për komunitetet joshumicë.
Zhvillimet politike të pasluftës, trashëgiminë e qeverisjeve të njëpasnjëshme dhe sfidat e sundimit të ligjit.
Përpjekjet për ndryshimin e kufijve, marrëdhëniet me Serbinë dhe proceset ndërkombëtare të dialogut.
Shtrirjen e autoritetit kushtetues të Republikës në veri të vendit dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.
Proceset gjyqësore për krimet e luftës, vrasjet e pazbardhura me motive të dyshuara politike dhe përgjegjësinë institucionale ndaj viktimave.
Veprimtarinë e dyshuar të shërbimeve të huaja të inteligjencës, operacionet e ndikimit dhe dezinformimin në hapësirën publike.
Pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës, pengesat ndaj njohjes së saj dhe perspektivën e integrimit euroatlantik.
Ky material do të përditësohet vazhdimisht, në përputhje me zhvillimet politike, dokumentacionin institucional, aktgjykimet gjyqësore, të dhënat historike dhe gjetjet e verifikueshme të gazetarisë hulumtuese.
Hulumtimi i historikut të të gjitha partive politike
Krahas këtij standardi, redaksia e Republikës do ta ndërmarrë gradualisht një projekt afatgjatë të gazetarisë hulumtuese, që do ta ketë për objekt dokumentimin e historikut politik dhe institucional të të gjitha partive politike në Republikën e Kosovës, pa përjashtim.
Ky proces do ta përfshijë shqyrtimin sistematik të veprimtarisë së tyre gjatë mandateve qeverisëse, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë komunal. Vëmendje e posaçme do t’u kushtohet rasteve të dokumentuara dhe pretendimeve të mbështetura në dëshmi për keqpërdorimin e pushtetit, korrupsionin, nepotizmin, konfliktin e interesit, keqmenaxhimin e parasë publike, ndërhyrjet në institucionet e pavarura, cenimin e lirive demokratike dhe shkeljet e mundshme të rendit juridik e kushtetues.
Hulumtimet do të mbështeten në dokumentacionin zyrtar, raportet e auditimit, arkivat parlamentare, vendimet administrative, dosjet gjyqësore, dokumentet e prokurimit publik, dëshmitë e verifikueshme dhe burime të tjera të besueshme. Ato do t’i shqyrtojnë gjithashtu arritjet e dokumentuara, vendimet me interes publik, përmbushjen e zotimeve elektorale dhe pasojat institucionale, ekonomike e shoqërore të qeverisjes së secilës parti.
Në përfundim të hulumtimeve përkatëse, Republika do të ndërtojë profile të dokumentuara historike për secilën parti politike. Këto profile do të përditësohen vazhdimisht dhe do të bashkëngjiten, në seksione të posaçme, në çdo artikull që gazeta e publikon për subjektin politik përkatës.
Qëllimi është që lexuesi, sa herë që informohet për një deklaratë, premtim, akuzë apo qëndrim të një partie politike, ta ketë njëkohësisht mundësinë të njihet me historikun e veprimtarisë së saj, vendimet që i ka marrë kur ka ushtruar pushtet dhe përgjegjësitë që i ka bartur gjatë mandateve të veta.
Një parti politike nuk mund të vlerësohet vetëm mbi bazën e asaj që deklaron sot. Veprimtaria e saj duhet të shqyrtohet edhe në dritën e asaj që e ka bërë kur ka pasur përgjegjësi institucionale, të premtimeve që i ka dhënë dhe të vendimeve që i ka marrë.
Ky standard do të zbatohet njësoj ndaj partive në pushtet, atyre në opozitë dhe subjekteve që kanë ushtruar pushtet në të kaluarën. Asnjë subjekt politik nuk do të gëzojë imunitet nga shqyrtimi gazetaresk dhe asnjërit nuk do t’i atribuohet përgjegjësi pa prova.
Ndryshimi i udhëheqjes së një partie, kalimi nga pushteti në opozitë apo ndryshimi i retorikës së saj politike nuk e fshin historikun institucional të subjektit. Megjithatë, përgjegjësia politike dhe institucionale do të dallohet gjithmonë nga përgjegjësia individuale dhe penale.
Republika do t’u garantojë subjekteve dhe individëve të përfshirë të drejtën e përgjigjes, ndërsa çdo informacion i pasaktë do të korrigjohet në mënyrë transparente.
Kujtesa historike nuk është anësi politike
Redaksia e Republikës e konsideron të domosdoshme të bëjë një dallim ndërmjet paanshmërisë gazetareske dhe neutralitetit artificial ndaj fakteve të dokumentuara.
Paanshmëria nuk nënkupton barazimin e përgjegjësive historike, relativizimin e krimeve të dokumentuara apo paraqitjen e pretendimeve politike si të barazvlershme me faktet e vërtetuara. Ajo nënkupton zbatimin e të njëjtit standard të provës, verifikimit dhe përgjegjësisë ndaj secilit aktor politik, pavarësisht pozitës, përkatësisë partiake apo ndikimit të tij publik.
Republika nuk do ta trajtojë kontekstin historik si instrument për mbrojtjen e ndonjë qeverie, partie politike apo individi. Përkundrazi, ai do të shërbejë si pikë referimi për shqyrtimin kritik të veprimeve të çdo pushteti, të kaluar, të tashëm apo të ardhshëm.
Redaksia do të vazhdojë t’i dallojë qartësisht faktet e dokumentuara nga pretendimet, dyshimet penale nga përgjegjësia e përcaktuar gjyqësisht, aktgjykimet e shkallës së parë nga ato të formës së prerë dhe gjetjet gazetareske nga konstatimet e institucioneve kompetente të drejtësisë.
Përballë dezinformimit dhe amnezisë politike
Kosova përballet jo vetëm me sfida të sigurisë, sovranitetit dhe njohjes ndërkombëtare, por edhe me një përballje të vazhdueshme në hapësirën informative, ku interpretimi selektiv i historisë mund të përdoret për ta deformuar kuptimin e zhvillimeve të sotme.
Shkëputja e lajmit nga konteksti historik krijon hapësirë për manipulim. Harrimi i rrethanave në të cilat është ndërtuar shteti, i përgjegjësive të aktorëve politikë dhe i pasojave të vendimeve të tyre e dobëson aftësinë e qytetarit për ta gjykuar pushtetin dhe për të kërkuar llogaridhënie.
Kujtesa institucionale e një shoqërie nuk duhet të rivendoset në pikën zero sa herë që ndërrohet një qeveri, fillon një fushatë zgjedhore apo një subjekt politik e ndryshon pozicionin e vet.
Një shoqëri që nuk e njeh historinë e vet politike është më e cenueshme ndaj atyre që përpiqen t’ia rishkruajnë atë për interesa të së tashmes.
Pikërisht për këtë arsye, Republika e sheh ruajtjen e kujtesës historike dhe institucionale si pjesë të përgjegjësisë së saj ndaj interesit publik.
Një angazhim afatgjatë ndaj lexuesit
Vendosja e këtij standardi nuk është një nismë e përkohshme editoriale. Ajo do të bëhet pjesë e përhershme e metodologjisë së raportimit të gazetës Republika.
Nëpërmjet këtij projekti, redaksia synon ta ndërtojë një arkiv të gjallë të kujtesës politike dhe institucionale të Kosovës, të mbështetur në dokumente, prova dhe raportim profesional, i cili do të pasurohet nga puna e përditshme e gazetarëve dhe hulumtuesve tanë.
Lexuesit tanë, përfshirë brezat e rinj që nuk e kanë përjetuar luftën dhe vitet e para të pasluftës, kanë të drejtë të informohen jo vetëm për atë që po ndodh sot, por edhe për atë që e ka bërë të mundur, të nevojshme apo të rrezikshme një ngjarje të caktuar politike.
Ata kanë të drejtë të dinë jo vetëm se çfarë u premtojnë partitë politike sot, por edhe se çfarë kanë bërë ato dje, kur e kanë pasur në duar pushtetin, institucionet dhe paranë publike të Republikës.
Ne nuk synojmë t’i tregojmë lexuesit se çfarë duhet të mendojë. Synojmë t’ua ofrojmë faktet, dokumentacionin dhe kontekstin e nevojshëm që ata të mund të mendojnë, të gjykojnë dhe t’i nxjerrin përfundimet e veta.
Gazetaria nuk duhet të jetë vetëm kronikë e së tashmes. Ajo duhet të jetë edhe kujtesë e dokumentuar e shoqërisë, mekanizëm i llogaridhënies publike dhe mbrojtëse e së drejtës së qytetarit për të kuptuar.
Sepse një lajm pa kontekst mund të tregojë se çfarë ka ndodhur, por jo domosdoshmërisht se çfarë do të thotë ajo që ka ndodhur.
Dhe qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë t’i dinë të dyja.
Redaksia e gazetës REPUBLIKA
Frontline Media Group
Londër, Mbretëria e Bashkuar
24 nëntor 2026
www.rpublika.com
Konteksti historik dhe politik i Kosovës
Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pas një dekade shtypjeje sistematike nga regjimi i Beogradit, luftës së viteve 1998-1999, fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë dhe një procesi negociator ndërkombëtar që përfundoi pa marrëveshje me Serbinë. Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar 13.535 persona të vrarë ose të zhdukur gjatë periudhës 1998-2000, prej të cilëve 10.812 shqiptarë, ndërsa Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi se fushata e dhunës së forcave serbe dhe jugosllave më 1999 shkaktoi largimin e të paktën 700.000 shqiptarëve nga Kosova. Kushtetuta e shtetit të ri, e ndërtuar mbi Planin e Ahtisaarit, përfshiu garanci të gjera për komunitetet joshumicë, ndër to 20 ulëse të garantuara në Kuvend, prej të cilave së paku dhjetë për komunitetin serb. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve, përfshirë dy të tretat e deputetëve që i mbajnë ulëset e rezervuara ose të garantuara për komunitetet joshumicë, duke u dhënë kështu deputetëve serbë mundësinë për t’i bllokuar ndryshimet kushtetuese kur veprojnë së bashku.
Dy dekadat e para të pasluftës u karakterizuan nga akuza për korrupsion, dobësi të sundimit të ligjit, vrasje të pazbardhura me motive të dyshuara politike dhe funksionimi i strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi në veri të vendit. Gjatë kësaj periudhe, Hashim Thaçi ushtroi pushtet në cilësi të ndryshme, nga drejtimi i qeverisë së përkohshme pas luftës deri te posti i kryeministrit dhe presidentit të Republikës. Në vitin 2018, Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq promovuan publikisht idenë e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një projekt që ngjalli kundërshtime të gjera brenda Kosovës dhe në diplomacinë ndërkombëtare, për shkak të rrezikut të ndarjes territoriale mbi baza etnike. Në nëntor të atij viti, Thaçi e takoi presidentin rus Vladimir Putin në Paris. Projekti i ndryshimit të kufijve nuk u realizua. Më 24 qershor 2020, derisa Thaçi ishte rrugës për në Washington për një takim me Vuçiqin, të organizuar nga i dërguari amerikan Richard Grenell, Prokuroria e Specializuar njoftoi publikisht dorëzimin e aktakuzës ndaj tij. Thaçi e anuloi udhëtimin dhe, pas konfirmimit të aktakuzës në nëntor, dha dorëheqje nga Presidenca.
Në shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi 50,28 për qind të votave, duke e shënuar një kthesë në peizazhin politik të pasluftës. Qeveria e tij ndërmori një proces të zgjerimit të autoritetit efektiv të institucioneve të Republikës në veri të vendit, duke i goditur rrjetet kriminale dhe duke i çmontuar gradualisht strukturat administrative, financiare e politike të Serbisë që kishin funksionuar për më shumë se dy dekada jashtë rendit juridik të Kosovës. Gjatë viteve 2023-2025, autoritetet i mbyllën institucionet paralele komunale, zyra administrative të qeverisë serbe, degë bankare dhe zyra të Postës së Serbisë. U zbatua përdorimi i euros si valuta e vetme e lejuar për transaksionet me para të gatshme dhe u zëvendësuan targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Në të njëjtën periudhë, një pjesë e familjeve shqiptare të zhvendosura nga veriu nisën procesin e rikthimit në pronat dhe lagjet e tyre, pas më shumë se dy dekadash zhvendosjeje. Veprimet e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit shtetëror u shoqëruan edhe me kundërshtime nga Beogradi dhe kritika ndërkombëtare për mënyrën e zbatimit dhe ndikimin te komuniteti serb.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, ndërsa ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit. Ngjarja nxori në pah përmasat e kërcënimeve ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës.
Më 16 shtator 2026, me aktgjykim të shkallës së parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, përfshirë arrestime dhe ndalime arbitrare, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Gjykata konstatoi se të katër kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal, që i kishte në shënjestër personat e perceptuar si kundërshtarë të synimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së, përfshirë shqiptarë të Kosovës. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Të katër u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë. Ndërkohë, një numër vrasjesh të pasluftës me motive të dyshuara politike, të kryera gjatë periudhës së dominimit të elitave politike të dala nga lufta, mbeten të pazbardhura.
Gjatë viteve 2024-2025, institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë së Kosovës i intensifikuan operacionet kundër rrjeteve të dyshuara të spiunazhit të lidhura me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Më 9 tetor 2025 u arrestua Fatmir Sheholli, ndaj të cilit Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për spiunazh dhe shantazh më 25 gusht 2026. Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se veproi sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, duke mbledhur informacione dhe shpërndarë materiale në mediat kosovare. Në mesin e dokumenteve të sekuestruara u identifikua edhe materiali i koduar “Leptiri”, i hartuar nga strukturat serbe të sigurimit shtetëror më 2001, që synonte komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit. Hulumtimet nga i kanë shqyrtuar kontaktet e Fatmir Shehollit me figura publike, politike dhe mediatike, ndër të cilat Ramush Haradinaj, Milaim Zeka, Hisen Berisha dhe Lirim Mehmetaj. Duke e analizuar dokumentacionin fotografik, raportimet mediatike dhe deklarimet publike, redaksia ka identifikuar kontakte të dokumentuara me Shehollin, si dhe përputhje ndërmjet disa prej narrativave të promovuara publikisht nga këto figura dhe përmbajtjes së materialeve të shpërndara përmes tij. Redaksia ka raportuar gjithashtu për një vizitë të Bojan Dimiqit në Zyrën e Kryeministrit gjatë mandatit të Haradinajt më 2018. Këto gjetje hulumtuese duhen dalluar nga përgjegjësia penale individuale, e cila përcaktohet nga institucionet kompetente të drejtësisë.
Ramush Haradinaj u rikthye në krye të qeverisë në shtator 2017, pasi në prill të atij viti drejtësia franceze e refuzoi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij. Gjatë mandatit të tij, Lista Serbe ishte pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa Haradinaj zhvilloi kontakte edhe me Milan Radoiçiqin. Në të njëjtën periudhë u shua Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke e ndërprerë vazhdimësinë e punës së këtij mekanizmi shtetëror për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet, u ndërmorën hapa për rithemelimin e institutit, me mandat për mbledhjen, sistemimin, ruajtjen dhe dokumentimin e dëshmive mbi krimet e kryera gjatë luftës. Në vitet pasuese, Prokuroria Speciale e intensifikoi ndjekjen penale të personave të dyshuar për pjesëmarrje në krime lufte, përfshirë ish-pjesëtarë të forcave serbe dhe jugosllave. Zbardhja e këtyre krimeve dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat mbeten ndër përgjegjësitë themelore të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Krahas përballjes institucionale dhe të sigurisë me Serbinë, Kosova është përballur edhe me një betejë në hapësirën informative. Sipas hulumtimeve dhe analizave mediatike të Kronikave të Barutit, një pjesë e mediave kosovare, të afërta me qarqet politike që e dominuan pushtetin gjatë dy dekadave të para të pasluftës, kanë riprodhuar vazhdimisht narrativa që përputhen me ato të Beogradit. Ky fenomen mori rëndësi të veçantë në kontekstin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, të formalizuar më tej në shtator 2022 përmes nënshkrimit të planit të konsultimeve për politikën e jashtme. Analizat e Kronikave të Barutit kanë identifikuar një model raportimi në të cilin veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë janë paraqitur si pasojë e vendimeve të institucioneve të Prishtinës, duke zhvendosur përgjegjësinë politike nga Beogradi te Kosova dhe duke e relativizuar rolin e autoriteteve serbe. Ndër figurat mediatike të shqyrtuara në këto hulumtime është Berat Buzhala, në raportimet dhe komentet publike të të cilit redaksia ka identifikuar përputhje të përsëritura me narrativa të promovuara nga Beogradi. Këto gjetje lidhen me përmbajtjen dhe mënyrën e interpretimit të zhvillimeve politike e të sigurisë, dhe nuk përbëjnë në vetvete provë të koordinimit operacional me autoritetet serbe.
Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke kundërshtuar njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Këtë qëndrim e mbështesin Rusia dhe Kina, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje. Moska e lidh kundërshtimin e saj me marrëdhëniet strategjike me Beogradin dhe kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s më 1999, ndërsa Pekini, krahas marrëdhënieve me Serbinë, i referohet parimit të integritetit territorial, në kontekstin e çështjeve të Tajvanit, Tibetit dhe Xinjiangut. Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin as pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Qëndrimi i Madridit lidhet ndër të tjera me shqetësimet për lëvizjet separatiste në Katalonjë dhe vendi Baskë, ai i Qipros dhe Greqisë me çështjen e Qipros së Veriut, ndërsa qëndrimet e Rumanisë dhe Sllovakisë lidhen pjesërisht me shqetësimet për precedentët territorialë dhe kërkesat autonomiste të pakicave kombëtare. Ndër shtetet e tjera që nuk e njohin Kosovën janë India, Brazili, Argjentina, Meksika, Indonezia dhe Afrika e Jugut, të cilat mbështeten në konsiderata të ndryshme diplomatike, gjeopolitike dhe juridike. Këto qëndrime vazhdojnë pavarësisht opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, sipas të cilit deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Në këto rrethana, konsolidimi i sovranitetit, mbrojtja e rendit kushtetues, zgjerimi i njohjes ndërkombëtare, zbardhja e krimeve politike, forcimi i sundimit të ligjit, anëtarësimi në OKB dhe integrimi euroatlantik mbeten ndër çështjet qendrore të shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.


