Gazetari Vudi Xhymshiti i ka kërkuar më 11 nëntor 2026 platformës së verifikimit të fakteve Krypometri shqyrtimin e pesë publikimeve në Facebook, të cilat e përfshijnë emrin e tij. Tri prej tyre e lidhin mbylljen e llogarisë së tij në këtë platformë me pretendime për dezinformim apo shpifje, ndërsa dy tjerat e kanë në qendër një video të dyshuar si të manipuluar me inteligjencë artificiale. Krypometri iu përgjigj më 20 nëntor, duke njoftuar se e ka verifikuar njërin prej publikimeve, ndërsa për pretendimet për mbylljen e llogarisë është në pritje të përgjigjeve.
Në kërkesën e tij, Xhymshiti thotë se njoftimi i Facebook-ut të 7 nëntorit 2026, i bashkëngjitur kërkesës, i referohet një ankese për të drejtat e autorit lidhur me një video të publikuar më 22 gusht 2026 dhe nuk përmban konstatim për shpërndarje lajmesh të rreme, shpifje apo dezinformim. Sipas tij, ky dokument nuk e tregon më vete bazën e plotë të masave të platformës ndaj llogarisë, por as nuk mund të paraqitet si vendim i Facebook-ut për shpifje apo dezinformim pa prova të tjera.
Ndër publikimet e sinjalizuara është edhe një publikim i portalit Jepi Zë më 9 nëntor 2026, i cili pretendon se llogaria e Xhymshitit u mbyll për shkak të publikimit të vazhdueshëm të lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Në kontrollin e bërë më 23 nëntor 2026, ky publikim ishte ende në linjë dhe pa ndonjë etiketë verifikimi të dukshme nga platforma.1
Kërkesa përfshin edhe dy publikime të tjera të Jepi Zë me videon e dyshuar si të manipuluar: njëri aktualisht nuk është i qasshëm publikisht (pasi me sa duket është fshirë), ndërsa tjetri, një reel, shfaqej më 23 nëntor 2026 me etiketë të platformës për video të ndryshuar, të shqyrtuar nga verifikues faktesh të palëve të treta. Sipas përshkrimit në kërkesë, një publikim i Fidan Jupollit e lidh mbylljen me pretendime për shpifje dhe një publikim i Berat Buzhalës e shpërndan një artikull të gazetës Nacionale.2
Krypometri e verifikoi videon në të cilën pretendohej se ish-gjyqtarja Danica Marinkoviq e kishte falënderuar Xhymshitin. Në artikullin e publikuar më 19 nëntor 2026, Krypometri konstaton se audioja e kësaj videoje është e manipuluar dhe se pretendimet janë të rreme. Sipas verifikimit, videoja origjinale është një intervistë e Newsmax Balkans të 19 nëntorit 2025 mbi një film për masakrën e Reçakut, ndërsa zëri i shtuar është prodhuar me inteligjencë artificiale. Këtë konkluzion Krypometri e mbështet në krahasimin me intervistën origjinale dhe në rezultatet e dy platformave të detektimit të audios së gjeneruar, Diopter.ai dhe Resemble.ai. Versioni i manipuluar ishte publikuar fillimisht nga faqja newsilir më 26 korrik 2026 dhe më pas u shpërnda nga Jepi Zë më 11 tetor 2026.3



Për pretendimet se llogaria e Xhymshitit u mbyll për shkak të publikimeve të tij, Krypometri i thotë atij se është në pritje të përgjigjeve lidhur me arsyet e mbylljes dhe se, bazuar në materialet që i posedon, nuk mund t’i verifikojë ato. Platforma e verifikimit sqaron se e ka analizuar dokumentin e bashkëngjitur në kërkesë, por se ai, sipas standardeve të saj, nuk është i mjaftueshëm për publikim. Në përgjigjen e saj, Krypometri i sugjeron gjithashtu Xhymshitit që në të ardhmen të përmbahet nga shpërndarja e informatave të pasakta, edhe pse nuk ka fakte për veprime të tilla të qëllimshme.
Në kërkesën e tij, Xhymshiti shkruan se nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por standard të barabartë, duke kërkuar që publikimet me pretendime të pambështetura t’i nënshtrohen të njëjtit proces verifikimi. Sipas një artikulli të botuar më 11 nëntor 2026 në The Gunpowder Chronicles, një botim analitik i Dr Adrian Markham, llogaria e mbyllur e Xhymshitit i kishte mbi 40 mijë ndjekës dhe mbi 36 milionë shikime mujore. Xhymshiti është themelues, botues dhe kryeredaktor i Republikës; ai është gjithashtu themelues i The Frontline Media.4
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.



