Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mblidhen të enjten dhe të premten në Bruksel, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Evropian kushtuar buxhetit afatgjatë të bllokut për vitet 2028-2034, financimit të Ukrainës për vitin 2027 dhe zgjedhjes së drejtimit të ri të Bankës Qendrore Evropiane. Në letrën e ftimit të publikuar të martën, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, u shkruan liderëve se për buxhetin "ka ardhur koha" për t'u arritur një marrëveshje.1
Para samitit, Costa e ka paraqitur një propozim të përgjithshëm për Kornizën Financiare Shumëvjeçare 2028-2034, duke i ftuar shtetet anëtare ta shqyrtojnë atë në frymë kompromisi. Sipas tij, një marrëveshje e balancuar duhet t'ia mundësojë Bashkimit Evropian forcimin e konkurrencës, të sigurisë dhe të mbrojtjes, duke ruajtur njëkohësisht politikat që kanë dëshmuar vlerën e tyre dhe duke i mbajtur kontributet kombëtare në një nivel të arsyeshëm. Korniza e re financiare, e cila kërkon unanimetin e shteteve anëtare dhe pëlqimin e Parlamentit Evropian, duhet të zëvendësojë buxhetin aktual shtatëvjeçar 2021-2027.
Në krahasim me buxhetin aktual, propozimi i Kostës i rrit me 120 për qind fondet për konkurrencë dhe me 232 për qind ato për mbrojtje, ndërsa e dyfishon mbështetjen për menaxhimin e migracionit dhe kontrollin e kufijve. Programi kërkimor Horizon Europe rritet me 57 për qind dhe Erasmusi me 25 për qind, 35 për qind e shpenzimeve synohet t'i kushtohet klimës dhe mjedisit, ndërsa për herë të parë buxheti parashikon që nga fillimi fonde për banesa të përballueshme.
Propozimi i Kostës është rreth 10 për qind më i ulët se plani fillestar i Komisionit Evropian të paraqitur në korrik 2025, pra rreth 204 miliardë euro më pak. Kontributet kombëtare do të rriten mesatarisht nga 0,80 në 0,82 për qind të të ardhurave kombëtare bruto, ndërsa për t'i kufizuar ato propozohen pesë burime të reja të të ardhurave vetanake: nga të ardhurat e kompanive të mëdha nga shërbimet dixhitale, mekanizmi kufitar i karbonit, mbetjet elektronike të paricikluara, produktet e duhanit dhe sistemi i tregtimit të emetimeve. Së bashku me të ardhurat ekzistuese, kjo paketë mund të gjenerojë rreth 60 miliardë euro në vit.2
Buxheti i ri do ta përcaktojë edhe ndihmën për vendet që synojnë anëtarësimin, përfshirë Kosovën. Sipas projekt-konkluzioneve të përgatitura për këtë samit, korniza prej rreth 1,58 trilionë eurosh parashikon 30,9 miliardë euro për shtyllën e zgjerimit dhe Evropës, brenda instrumentit Global Europe prej 142,2 miliardë eurosh. Kjo shumë nuk është e rezervuar vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe projekti nuk përcakton se sa fonde do t'u takojnë Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi apo Bosnjë e Hercegovinës.3
Tema e dytë kryesore e samitit do të jetë financimi i Ukrainës për vitin 2027. Komisioni Evropian propozoi më 18 nëntor një kredi shtesë prej 45 miliardë eurosh për Kievin, pasi sulmet e shtuara ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile, si dhe pengesat në tregtinë e Detit të Zi, i kanë rënduar financat e vendit. Rreth një vit më parë, liderët e BE-së e kishin miratuar një kredi pa interes prej 90 miliardë eurosh për pjesën më të madhe të nevojave ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.4
Mbështetja jonë për Ukrainën është edhe investim në sigurinë e vetë Evropës", shkruan Costa në letrën e ftimit.
Në axhendë është edhe rinovimi i drejtimit të Bankës Qendrore Evropiane, me qëllim një vendim në kohë të duhur. Christine Lagarde, presidente e BQE-së që nga nëntori i vitit 2019, njoftoi më 29 tetor se do të largohet nga detyra më 7 shkurt 2027, ndërsa Eurogrupi ka hapur ndërkohë procesin e nominimeve për pasuesin e saj.5
Mbledhja fillon të enjten në orën 10:00 me një Samit të zonës euro në format gjithëpërfshirës, ku Lagarde dhe presidenti i Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis, do t’i paraqesin analizat e tyre për zhvillimet ekonomike. Takimi do të jetë edhe rasti për ta falënderuar presidenten në largim për drejtimin e saj të qëndrueshëm të BQE-së që nga nëntori i vitit 2019. Pas shkëmbimit të mendimeve me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, liderët do t’i fillojnë diskutimet për buxhetin dhe financimin e Ukrainës, me ndërprerje për biseda dypalëshe, ndërsa Costa synon t'i përfundojë punimet të premten, kur do t’i paraqesë konkluzionet e tij.
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.

“Special European Council of 26-27 November 2026 - Invitation letter by President António Costa to the members of the European Council”, Këshilli Evropian, 24 nëntor 2026. Letra e plotë: https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2026/11/24/special-european-council-of-26-27-november-2026-invitation-letter-by-president-antonio-costa-to-the-members-of-the-european-council/
“Multiannual Financial Framework - President Costa’s proposal”, Këshilli Evropian, 21 nëntor 2026. Shifrat e krahasimeve sipas propozimit të publikuar: https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2026/11/21/multiannual-financial-framework-president-costa-s-proposal/
“EU’s €1.58 Trillion Budget: Is the Western Balkans Being Left Behind as Brussels Shifts Billions Towards Defence?”, BalkanView, 22 nëntor 2026: https://balkanview.com/eus-e1-58-trillion-budget-is-the-western-balkans-being-left-behind-as-brussels-shifts-billions-towards-defence/
“Commission proposes €45 billion in additional financial support for Ukraine in 2027”, Komisioni Evropian, 18 nëntor 2026: https://enlargement.ec.europa.eu/news/commission-proposes-eur45-billion-additional-financial-support-ukraine-2027-2026-11-18_en
“ECB President Lagarde to step down on 7 February 2027”, Banka Qendrore Evropiane, 29 tetor 2026: https://www.ecb.europa.eu/press/pr/date/2026/html/ecb.pr261029~abbb6dc64b.en.html

