Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komuniteteve (GCERF), të mbajtur në Tokio, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Japoni.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sveçla mori pjesë në takim në cilësinë e anëtarit të Bordit Drejtues të këtij mekanizmi ndërkombëtar. Takimi është mbledhja e 25-të e Bordit të GCERF-it, e cila zhvillohet nga 24 deri më 26 nëntor 2026 në Tokio, në partneritet me Qeverinë e Japonisë.12
Gjatë takimit, ministri Sveçla i diskutoi sfidat aktuale dhe angazhimet e përbashkëta në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit. Në fjalën e tij, ai e prezantoi progresin dhe rezultatet konkrete të Republikës së Kosovës në këtë fushë, duke i veçuar kapacitetet e dëshmuara të institucioneve të sigurisë, zhvillimin e arkitekturës institucionale sipas modelit evropian dhe forcimin e mekanizmave parandalues.
"Republika e Kosovës përbën shembull për rajonin dhe më gjerë për punën e bërë në proceset e kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të qytetarëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimi i terrorizmit janë investim i drejtpërdrejtë në sigurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë", ka thënë Sveçla.3
Ministri e vlerësoi gjithashtu partneritetin dhe mbështetjen e GCERF-it për Republikën e Kosovës, si dhe rolin e këtij mekanizmi si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe ndarjen e praktikave të mira. Në përmbyllje, ai riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar kontributin e vendit në përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e më të qëndrueshme.
GCERF është një fondacion zviceran me sekretariat në Gjenevë, që financon programe për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në vendet partnere, ndërsa Kosova është ndër vendet partnere të këtij fondi. Bordi Drejtues i tij përbëhet nga përfaqësues të vendeve dhuruese, vendeve partnere dhe anëtarëve joqeveritarë.4
Kosova ka pranuar në vendin e saj qytetarë të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak gjatë viteve të fundit, ndërsa programet e kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre janë mbështetur ndër të tjera edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.

Report of the 24th Board Meeting, GCERF. Në raport zyrtarizohet se mbledhja e 25-të e Bordit mbahet në Tokio, Japoni, nga 24 deri më 26 nëntor 2026, në partneritet me Qeverinë e Japonisë. https://www.gcerf.org/wp-content/uploads/2015/12/Report-of-the-24th-Board-Meeting.pdf
Governing Board, GCERF. Faqja zyrtare e GCERF-it e liston Xhelal Sveçlën, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, si anëtar votues të Bordit Drejtues nga radhët e vendeve partnere. https://www.gcerf.org/governance/
Njoftim për media i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, 25 nëntor 2026. Deklaratat e ministrit Sveçla në takim dhe fjalimi i tij janë marrë nga njoftimi zyrtar i MPB-së https://mpb.rks-gov.net.
Kosovo, GCERF. Faqja e GCERF-it për Kosovën dokumenton statusin e vendit si partner i fondit dhe programet e financuara në vend. https://www.gcerf.org/kosovo/

