Mirëmëngjes, prej sot Gazeta Republika vjen te ju çdo ditë.
Sot, e nisim një kapitull të ri me një detyrim të qartë ndaj jush. T'ju sjellim informacion të saktë, t'ju shpjegojmë pse ka rëndësi dhe t'jua japim mundësinë ta krijoni vetë gjykimin tuaj.
Në përditshmërinë tuaj, vendimet publike nuk mbeten vetëm deklarata në konferenca. Ato bëhen fatura, paga, shërbime shëndetësore, kushte në shkolla dhe mundësi për ta ndërtuar jetën në vend. Prandaj, puna jonë nuk do të përfundojë te lajmi se një vendim është marrë. Do të kërkojmë ta kuptojmë çfarë ndryshon ai për ju, kush mban përgjegjësi dhe çfarë tregojnë dokumentet.
Do të lexoni për politikën dhe drejtësinë, ekonominë dhe sigurinë, arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe çështjet që e prekin jetën tuaj. Do t'i ndjekim edhe zhvillimet jashtë Kosovës, duke e shpjeguar lidhjen e tyre me vendin dhe me interesin tuaj, pa e sajuar atë lidhje kur faktet nuk e mbështesin.
Nuk po ju kërkojmë të mendoni si ne. Po e marrim përsipër t'jua japim informacionin që ju duhet për të menduar të pavarur.
Kjo do të thotë se në faqet tona do ta dalloni qartë lajmin nga analiza dhe analizën nga opinioni. Kur një zyrtar e bën një pretendim, do ta lexoni si pretendim të tij, jo si një të vërtetë të provuar vetëm sepse është thënë nga një pozitë e pushtetit. Kur një fakt mbështetet në dokumente, do t'jua tregojmë burimin. Kur diçka mbetet e paqartë, do ta themi.
Nuk ju premtojmë se nuk do të gabojmë kurrë. Ju premtojmë se gabimet nuk do t'i fshehim. Do t'i pranojmë dhe do t'i korrigjojmë publikisht, sepse besimi juaj kërkon përgjegjësi edhe atëherë kur korrigjimi është i pakëndshëm për ne.
Republika është botim i The Frontline Media Group, me seli në Londër, por detyrimi i kësaj gazete është ndaj publikut të Kosovës. As pushteti, as opozita, as një interes ekonomik nuk do ta përcaktojë atë që ju raportojmë. Standardi i verifikimit do të jetë i njëjtë për secilin.
Po e nisim botimin e përditshëm sot ndërsa vazhdojmë ndërtimin e redaksisë dhe përgatitjen profesionale të gazetarëve e praktikantëve të rinj. Duam të krijojmë hapësirë edhe për studentët dhe të diplomuarit e gazetarisë në Kosovë, që këtë profesion duan ta mësojnë përmes pyetjeve, dokumenteve dhe punës së ndershme. Zgjerimi ynë do të jetë gradual. Standardi që i kemi vënë vetes nuk duhet të presë.
Nga sot, mund të na lexoni çdo ditë në www.rpublika.com.
Ne do ta sjellim raportimin. Ju do ta mbani të drejtën për ta vlerësuar, për ta vënë në dyshim dhe për të kërkuar më shumë prej nesh.
Faktet nuk janë çështje debati. Përgjegjësia jonë është t'i verifikojmë dhe t'jua paraqesim qartë.
Faleminderit që jeni me ne në këtë fillim.
Mirë se vini në Republikë.
Me respekt,
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.






Sukese me Republiken.. Emri me i qelluar.. Ky emer ishte nisma për mendim ndryshe, per guximin se ne jemi ata qe duhet te vendosim per vehten..
Prandaj Republika sot ekziston, por ne “tetik” nga shizofrenet qe gjenetikisht jane te pakurrizor dhe per çudi flasin ne gjuhen e atyre qe brohorisnin dhe shkruanin neper mure e kudo Kosova Republikë…
Ju përshëndes
Xhati