Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka mbajtur të hënën një konferencë për media para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar qeverisë të marrë vendimin që, sipas saj, do të zgjidhte problemin e mbeturinave në kryeqytet.1
Musmurati ia ripërsëriti kërkesën ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ta nënshkruajë marrëveshjen për projektin në bashkëpunim me bankën gjermane zhvillimore KfW, në vlerë 74 milionë euro. Sipas saj, Prishtina ka nevojë për 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë dhe modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave, ndërsa projekti parashikon edhe krijimin e një qendre për riciklim dhe rritjen e kapaciteteve.
"Kërkoj nga ministri Hekuran Murati që ta nënshkruajë marrëveshjen për projektin prej 74 milionë eurosh, për ta ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjes 'Pastrimi', e jo për të kontribuar në falimentimin e saj", ka thënë Musmurati.
Për këtë çështje, nënkryetarja e Prishtinës tha se javën e kaluar i është drejtuar edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke ua dorëzuar dokumentacionin zyrtar: vendimin e Qeverisë, dokumentin e KfW-së dhe letrën e përbashkët të palëve të përfshira në projekt.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, nga ana e tij, kishte deklaruar se banka gjermane, si investitor, nuk e mbështet projektin pasi kërkohet qëndrueshmëria e kompanisë ekzistuese që mbledh dhe menaxhon mbeturinat, në këtë rast "Pastrimi". Sipas Muratit, deklarimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se "Pastrimi" do të shuhet dhe do të themelohet një kompani e re tregojnë paqëndrueshmëri dhe e pamundësojnë zbatimin e projektit.
Por vetë banka KfW, në një përgjigje për median Telegrafi javën e kaluar, e ka dhënë një verzion që nuk përputhet plotësisht me asnjërën nga palët. KfW ka bërë të ditur se marrëveshja për nënshkrim ende nuk është arritur, por se ekziston mundësia e financimit dhe se pala gjermane i ka ndërmarrë të gjithaë hapat e nevojshëm, duke pritur tashmë përgjigje nga ana kosovare. Banka ka sqaruar gjithashtu se, ndryshe nga njoftimet e nënkryetares Musmurati, nuk ka afat të caktuar gjatë vitit 2026 për finalizimin e marrëveshjeve, dhe se qeveria gjermane aktualisht i ka vënë në dispozicion 24 milionë euro, prej të cilave 4 milionë euro grant dhe 20 milionë euro kredi. Fonde shtesë nga Bashkimi Evropian mund të kërkohen, por nuk janë pjesë e marrëveshjeve që presin finalizim.2
Projekti e ka një histori të gjatë bllokadash. Në mars të këtij viti, ndërmarrja "Pastrimi" njoftoi se financimi ishte bllokuar pasi Komuna e Prishtinës, gjatë vitit 2025, kishte lidhur kontrata edhe me kompani private për mbledhjen e mbeturinave, ndërsa një nga kushtet e bankës gjermane ishte që menaxhimi i mbeturinave t'i besohej për dhjetë vjet vetëm kësaj ndërmarrjeje. Në shtator, kryetari Rama njoftoi synimin për themelimin e një kompanie të re për mbeturinat, plan që nuk u përkrah nga partia në pushtet, LVV.3
Çështja është shndërruar në përplasje të hapur ndërmjet institucioneve qendrore dhe Komunës së Prishtinës, e cila vazhdimisht e akuzon ministrin e Financave për mosnënshkrimin e marrëveshjes. Ndërkohë, mbeturinat në kryeqytet mbeten problem i përditshëm për banorët, ndërsa vendimi për nënshkrimin pritet ta zhbllokojë ose ta shtyjë më tej modernizimin e sistemit të pastrimit.
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.

Gazeta Express, 18 nëntor 2026 (përgjigjja e KfW-së për Telegrafin): https://www.gazetaexpress.com/en/projekti-per-pastrimin-e-prishtines-mbetet-ne-pritje-kfw-thote-se-topi-eshte-te-pala-kosovare/

