Presidentja e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC), Mirjana Spoljaric, i tha të martën Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se njerëzimi po i afrohet për herë të parë në histori momentit kur jetët e njerëzve mund t'u besohen plotësisht makinerive, duke kërkuar nga shtetet rregulla ligjërisht të detyrueshme për armët autonome.
Spoljaric foli në debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit, i thirrur nga Letonia, me temë "Mirëmbajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare: zgjidhja e konflikteve në erën e ndryshimeve të shpejta teknologjike".1
"Aq kohë sa ka pasur luftë, njerëzit kanë gjetur mënyra të reja për ta vrarë njëri-tjetrin. Por sot, për herë të parë në histori, po i afrohemi shpejt një momenti kur jetët e njerëzve mund t'u dorëzohen tërësisht makinerive", tha ajo.
Presidentja e ICRC-së rikujtoi se në gusht, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, e ripërtërinë paralajmërimin për rreziqet që paraqesin sistemet autonome të armëve dhe vijat e kuqe morale e ligjore që ato përbëjnë.
"Inteligenca artificiale nuk do t'i vendosë vetë kufijtë në luftë. Shtetet duhet ta bëjnë këtë", theksoi ajo.
Vetëm javën e kaluar, pas viteve diskutimesh, shtetet u mblodhën në Gjenevë për të vendosur nëse do të negocionin rregulla ligjërisht të detyrueshme për sistemet autonome të armëve. Konferenca e Shtatë e Rishikimit të Konventës për Armë të Caktuara Konvencionale përfundoi pa një mandat të qartë e të menjëhershëm negociatash. Spoljaric paralajmëroi se shtetet nuk duhet të dorëzohen në vetëkënaqësi, pasi teknologjia po përparon me shpejtësi të lartë pa një mirëkuptim të përbashkët se si mund të zbatohet në luftë.2
Sipas saj, shtetet duhet të veprojnë urgjentisht që njerëzit, e jo makineritë, të mbeten përgjegjës për vendimet në luftë. Armët autonome të projektuara për të synuar njerëz, ose me efekte të paparashikueshme, duhet të ndalohen.
Presidentja e ICRC-së i hodhi posht pretendimet se lufta e nxitur nga inteligenca artificiale sjell automatikisht rezultate më të mira për civilët. Pavarësisht sigurimeve të ushtrive e kompanive teknologjike, sipas saj po dëshmohen tendenca të kundërta.
"Po shohim tashmë se inteligenca artificiale po përshpejton e po përforcon operacionet ushtarake, me kosto katastrofike për civilët", tha ajo.
Në terma realë, kjo mund të nënkuptojë qindra sulme në vazhdime të shpejta, shpesh pa pasur parasysh efektet kumulative, duke tejkaluar kapacitetin e ekipeve të ndihmës së parë dhe komuniteteve për t’i përballuar pasojat. Civilët kanë nevojë për kohë për t'u strehuar e evakuuar; spitalet për t’i ripasuruar furnizimet.
Provat tregojnë gjithashtu se sistemet e mbështetjes së vendimeve me inteligencë artificiale nuk e kapin kompleksitetin dhe paparashikueshmërinë e fushës së betejës dhe se nuk mund t’i parashikojnë të gjitha mënyrat se si civilët sillen e lëvizin kur kërkojnë siguri. Prandaj, pavarësisht sa besnikërisht një sistem e zbaton të drejtën ndërkombëtare humanitare, gjykimi njerëzor mbetet thelbësor në vlerësimin e secilit sulm. Kur modelet programohen bazuar në interpretime të liruara të rregullave të luftës, ato shndërrohen në sisteme vrasjeje e shkatërrimi. E drejta ndërkombëtare humanitare nuk mund thjesht të "kodohet në inteligencë artificiale" si zëvendësim i përfshirjes njerëzore.
Kjo, sipas saj, nuk do të thotë se sistemet e inteligencës artificiale duhet të ndalohen tërësisht në përdorimin ushtarak. ICRC kërkon që ato ta forcojnë respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare, jo ta nënshtrojnë atë — për shembull, duke e hartuar infrastrukturën thelbësore dhe modelet e jetës civile për ta minimizuar dëmin apo duke identifikuar rrugë evakuimi për familjet. Megjithatë, burimet dhe investimet nuk po drejtohen sot drejt këtyre zbatimeve në shkallën e duhur.
Spoljaric u kushtoi vëmendje të veçantë edhe kompanive teknologjike, të cilat, sipas saj, nuk po krijojnë thjesht aftësi të reja ushtarake, por po e formësojnë të ardhmen e luftës.
"Kompanitë teknologjike, ashtu si shtetet, e kanë fuqinë ta bëjnë fushën e betejës më të sigurt ose më të rrezikshme për civilët", u shpreh ajo.
Ajo paralajmëroi edhe për pasojat e konvergjencës së teknologjive: nëse agjentë të inteligencës artificiale udhëzohen të kryejnë operacione kibernetike kundër shërbimeve thelbësore gjatë konflikteve të armatosura, ose nëse dronë të pajisur me inteligencë artificiale përzgjedhin e angazhohen në objektiva pa kontroll njerëzor.
"Asnjë armë, teknologji apo metodë lufte nuk duhet ta nxjerrë zhvillimin e luftimeve jashtë kufijve të kontrollit njerëzor", deklaroi ajo.
Më 7 dhjetor, liderët do të mblidhen në Jordani në Konferencën e Nivelit të Lartë për Humanizmin në Luftë, për të qëndruar prapa rregullave të luftës. Sipas Spoljaric, ndërsa lufta evoluon, angazhimi politik është vendimtar që e drejta ndërkombëtare humanitare t'i mbrojë njerëzit jo vetëm sot, por edhe nesër.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar sqaroi se nuk kërkon ndalimin e të gjitha zbatimeve ushtarake të inteligencës artificiale, por kuadro e rregulla të qarta ndërkombëtare për zhvillimin dhe përdorimin e tyre. Pa rregullore, kjo teknologji do të vazhdojë të testohet në fushën e betejës dhe civilët do t'i nënshtrohen pasojave të provës dhe gabimit.
"Teknologjia duhet t'i shërbejë njerëzimit e jo ta shkatërrojë atë", përfundoi Spoljaric.3
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.

Mirjana Spoljaric, “ICRC president: No weapon, technology or method of war should put the conduct of hostilities beyond the limits of human control”, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC), 24 nëntor 2026. Deklarata e plotë e presidentes së ICRC-së në debatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së: https://www.icrc.org/en/statement/icrc-president-no-weapon-technology-should-put-conduct-hostilities-beyond-the-limits-of-human-control
“ICRC renews urgent call for legally binding rules on autonomous weapons after failure to launch negotiations”, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC), 20 nëntor 2026. Reagimi i ICRC-së pas përfundimit të Konferencës së Shtatë të Rishikimit të Konventës për Armë të Caktuara Konvencionale në Gjenevë pa mandat negociatash: https://www.icrc.org/en/statement/icrc-renews-urgent-call-legally-binding-rules-autonomous-weapons
Komunikata e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për media, dërguar redaksisë së Republikës më 24 nëntor 2026 (press@icrc.org). Zyra e shtypit e ICRC-së, Gjenevë: www.icrc.org

