Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Faton Peci, vunë të hënën gurthemelin e projektit për rikonstruktimin e urës mbi lumin Sitnicë, njoftoi Zyra e Kryeministrit.1
Sipas njoftimit, vlera e gjithmbarshme e projektit është 700 mijë euro, kontribut i përbashkët i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Mitrovicës.
Kurti tha se vitin e kaluar në këtë qytet u përuruan dy ura të reja mbi lumin Ibër, njëra për këmbësorë e vetura dhe tjetra vetëm për këmbësorë, ndërsa ura e tretë, po ashtu mbi Ibër, është në ndërtim e sipër.
“Ne ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por natyrisht, më shumë, e më shpejt, e më shpesh, aty ku kanë munguar në të kaluarën, e kjo është pikërisht Mitrovica”, — tha kryeministri Kurti.
Kurti e falënderoi operatorin ekonomik dhe qytetarët për mbështetjen dhe tha se punëtorët tashmë po e zhvillojnë projektin me intensitet.
Kryetari Peci tha se ura mbi lumin Sitnicë është ndër pamjet e para që i shohin qytetarët dhe vizitorët gjatë hyrjes kryesore në qytet dhe se ajo do të ketë një pamje të re. Ministri Krasniqi tha se punimet kanë filluar dhe se projekti pritet të përfundojë rreth muajit shkurt, si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.2
Urat mbi lumin Ibër kanë rëndësi të veçantë simbolike dhe praktike: lumi ndan pjesën veriore të banuar kryesisht me serbë nga pjesa jugore e banuar kryesisht me shqiptarë të Mitrovicës, ndarje e pazgjidhur që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999, ndërsa çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, deri në gushtin e vitit 2024, kishte mbetur prej vitesh temë e debateve e negociatash ndërkombëtare.3
Rikonstruktimi i urës mbi Sitnicë vjen në vazhdën e investimeve infrastrukturore në Mitrovicë, qytet ku lidhjet ndërmjet veriut dhe jugut kanë pasur rëndësi të veçantë politike, ekonomike dhe shoqërore që nga përfundimi i luftës më 1999. Ndërtimi i dy urave të reja mbi Ibër gjatë vitit 2025 ka krijuar mundësi shtesë për qarkullimin ndërmjet dy pjesëve të qytetit. Në gusht të vitit 2026, KFOR-i nisi reduktimin e pranisë së tij në urën kryesore mbi Ibër, ndërsa Policia e Kosovës e mori përgjegjësinë parësore për sigurinë e saj. Megjithatë, ura kryesore mbetet e mbyllur për qarkullimin e automjeteve. Në raportin e vitit 2026 për Kosovën, Komisioni Evropian e konfirmoi se kushtet teknike për hapjen e saj janë plotësuar, duke kërkuar koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave përkatëse.
Konteksti historik dhe politik i Kosovës
Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pas një dekade shtypjeje sistematike nga regjimi i Beogradit, luftës së viteve 1998-1999, fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë dhe një procesi negociator ndërkombëtar që përfundoi pa marrëveshje me Serbinë. Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar 13.535 persona të vrarë ose të zhdukur gjatë periudhës 1998-2000, prej të cilëve 10.812 shqiptarë, ndërsa Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi se fushata e dhunës së forcave serbe dhe jugosllave më 1999 shkaktoi largimin e të paktën 700.000 shqiptarëve nga Kosova. Kushtetuta e shtetit të ri, e ndërtuar mbi Planin e Ahtisaarit, përfshiu garanci të gjera për komunitetet joshumicë, ndër to 20 ulëse të garantuara në Kuvend, prej të cilave së paku dhjetë për komunitetin serb. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve, përfshirë dy të tretat e deputetëve që i mbajnë ulëset e rezervuara ose të garantuara për komunitetet joshumicë, duke u dhënë kështu deputetëve serbë mundësinë për t’i bllokuar ndryshimet kushtetuese kur veprojnë së bashku.
Dy dekadat e para të pasluftës u karakterizuan nga akuza për korrupsion, dobësi të sundimit të ligjit, vrasje të pazbardhura me motive të dyshuara politike dhe funksionimi i strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi në veri të vendit. Gjatë kësaj periudhe, Hashim Thaçi ushtroi pushtet në cilësi të ndryshme, nga drejtimi i qeverisë së përkohshme pas luftës deri te posti i kryeministrit dhe presidentit të Republikës. Në vitin 2018, Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq promovuan publikisht idenë e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një projekt që ngjalli kundërshtime të gjera brenda Kosovës dhe në diplomacinë ndërkombëtare, për shkak të rrezikut të ndarjes territoriale mbi baza etnike. Në nëntor të atij viti, Thaçi e takoi presidentin rus Vladimir Putin në Paris. Projekti i ndryshimit të kufijve nuk u realizua. Më 24 qershor 2020, derisa Thaçi ishte rrugës për në Washington për një takim me Vuçiqin, të organizuar nga i dërguari amerikan Richard Grenell, Prokuroria e Specializuar njoftoi publikisht dorëzimin e aktakuzës ndaj tij. Thaçi e anuloi udhëtimin dhe, pas konfirmimit të aktakuzës në nëntor, dha dorëheqje nga Presidenca.
Në shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi 50,28 për qind të votave, duke e shënuar një kthesë në peizazhin politik të pasluftës. Qeveria e tij ndërmori një proces të zgjerimit të autoritetit efektiv të institucioneve të Republikës në veri të vendit, duke i goditur rrjetet kriminale dhe duke i çmontuar gradualisht strukturat administrative, financiare e politike të Serbisë që kishin funksionuar për më shumë se dy dekada jashtë rendit juridik të Kosovës. Gjatë viteve 2023-2025, autoritetet i mbyllën institucionet paralele komunale, zyra administrative të qeverisë serbe, degë bankare dhe zyra të Postës së Serbisë. U zbatua përdorimi i euros si valuta e vetme e lejuar për transaksionet me para të gatshme dhe u zëvendësuan targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Në të njëjtën periudhë, një pjesë e familjeve shqiptare të zhvendosura nga veriu nisën procesin e rikthimit në pronat dhe lagjet e tyre, pas më shumë se dy dekadash zhvendosjeje. Veprimet e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit shtetëror u shoqëruan edhe me kundërshtime nga Beogradi dhe kritika ndërkombëtare për mënyrën e zbatimit dhe ndikimin te komuniteti serb.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, ndërsa ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit. Ngjarja nxori në pah përmasat e kërcënimeve ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës.
Më 16 shtator 2026, me aktgjykim të shkallës së parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, përfshirë arrestime dhe ndalime arbitrare, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Gjykata konstatoi se të katër kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal, që i kishte në shënjestër personat e perceptuar si kundërshtarë të synimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së, përfshirë shqiptarë të Kosovës. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet. Të katër u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë. Ndërkohë, një numër vrasjesh të pasluftës me motive të dyshuara politike, të kryera gjatë periudhës së dominimit të elitave politike të dala nga lufta, mbeten të pazbardhura.
Gjatë viteve 2024-2025, institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë së Kosovës i intensifikuan operacionet kundër rrjeteve të dyshuara të spiunazhit të lidhura me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Më 9 tetor 2025 u arrestua Fatmir Sheholli, ndaj të cilit Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për spiunazh dhe shantazh më 25 gusht 2026. Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se veproi sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, duke mbledhur informacione dhe shpërndarë materiale në mediat kosovare. Në mesin e dokumenteve të sekuestruara u identifikua edhe materiali i koduar “Leptiri”, i hartuar nga strukturat serbe të sigurimit shtetëror më 2001, që synonte komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit. Hulumtimet nga i kanë shqyrtuar kontaktet e Fatmir Shehollit me figura publike, politike dhe mediatike, ndër të cilat Ramush Haradinaj, Milaim Zeka, Hisen Berisha dhe Lirim Mehmetaj. Duke e analizuar dokumentacionin fotografik, raportimet mediatike dhe deklarimet publike, redaksia ka identifikuar kontakte të dokumentuara me Shehollin, si dhe përputhje ndërmjet disa prej narrativave të promovuara publikisht nga këto figura dhe përmbajtjes së materialeve të shpërndara përmes tij. Redaksia ka raportuar gjithashtu për një vizitë të Bojan Dimiqit në Zyrën e Kryeministrit gjatë mandatit të Haradinajt më 2018. Këto gjetje hulumtuese duhen dalluar nga përgjegjësia penale individuale, e cila përcaktohet nga institucionet kompetente të drejtësisë.
Ramush Haradinaj u rikthye në krye të qeverisë në shtator 2017, pasi në prill të atij viti drejtësia franceze e refuzoi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij. Gjatë mandatit të tij, Lista Serbe ishte pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa Haradinaj zhvilloi kontakte edhe me Milan Radoiçiqin. Në të njëjtën periudhë u shua Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke e ndërprerë vazhdimësinë e punës së këtij mekanizmi shtetëror për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet, u ndërmorën hapa për rithemelimin e institutit, me mandat për mbledhjen, sistemimin, ruajtjen dhe dokumentimin e dëshmive mbi krimet e kryera gjatë luftës. Në vitet pasuese, Prokuroria Speciale e intensifikoi ndjekjen penale të personave të dyshuar për pjesëmarrje në krime lufte, përfshirë ish-pjesëtarë të forcave serbe dhe jugosllave. Zbardhja e këtyre krimeve dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat mbeten ndër përgjegjësitë themelore të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Krahas përballjes institucionale dhe të sigurisë me Serbinë, Kosova është përballur edhe me një betejë në hapësirën informative. Sipas hulumtimeve dhe analizave mediatike të Kronikave të Barutit, një pjesë e mediave kosovare, të afërta me qarqet politike që e dominuan pushtetin gjatë dy dekadave të para të pasluftës, kanë riprodhuar vazhdimisht narrativa që përputhen me ato të Beogradit. Ky fenomen mori rëndësi të veçantë në kontekstin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, të formalizuar më tej në shtator 2022 përmes nënshkrimit të planit të konsultimeve për politikën e jashtme. Analizat e Kronikave të Barutit kanë identifikuar një model raportimi në të cilin veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë janë paraqitur si pasojë e vendimeve të institucioneve të Prishtinës, duke zhvendosur përgjegjësinë politike nga Beogradi te Kosova dhe duke e relativizuar rolin e autoriteteve serbe. Ndër figurat mediatike të shqyrtuara në këto hulumtime është Berat Buzhala, në raportimet dhe komentet publike të të cilit redaksia ka identifikuar përputhje të përsëritura me narrativa të promovuara nga Beogradi. Këto gjetje lidhen me përmbajtjen dhe mënyrën e interpretimit të zhvillimeve politike e të sigurisë, dhe nuk përbëjnë në vetvete provë të koordinimit operacional me autoritetet serbe.
Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke kundërshtuar njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Këtë qëndrim e mbështesin Rusia dhe Kina, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje. Moska e lidh kundërshtimin e saj me marrëdhëniet strategjike me Beogradin dhe kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s më 1999, ndërsa Pekini, krahas marrëdhënieve me Serbinë, i referohet parimit të integritetit territorial, në kontekstin e çështjeve të Tajvanit, Tibetit dhe Xinjiangut. Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin as pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Qëndrimi i Madridit lidhet ndër të tjera me shqetësimet për lëvizjet separatiste në Katalonjë dhe vendi Baskë, ai i Qipros dhe Greqisë me çështjen e Qipros së Veriut, ndërsa qëndrimet e Rumanisë dhe Sllovakisë lidhen pjesërisht me shqetësimet për precedentët territorialë dhe kërkesat autonomiste të pakicave kombëtare. Ndër shtetet e tjera që nuk e njohin Kosovën janë India, Brazili, Argjentina, Meksika, Indonezia dhe Afrika e Jugut, të cilat mbështeten në konsiderata të ndryshme diplomatike, gjeopolitike dhe juridike. Këto qëndrime vazhdojnë pavarësisht opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, sipas të cilit deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Në këto rrethana, konsolidimi i sovranitetit, mbrojtja e rendit kushtetues, zgjerimi i njohjes ndërkombëtare, zbardhja e krimeve politike, forcimi i sundimit të ligjit, anëtarësimi në OKB dhe integrimi euroatlantik mbeten ndër çështjet qendrore të shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Nëse ende nuk jeni abonuar, ju ftojmë të bëheni pjesë e komunitetit tonë të lexuesve. Mund të zgjidhni abonimin falas, por nëse keni mundësi, ju lutemi të konsideroni një abonim me pagesë prej £5 në muaj.
Mbështetja juaj na ndihmon ta financojmë gazetarinë e pavarur, hulumtimet në interes publik dhe raportimin e bazuar në fakte, pa ndikime politike apo financiare.

Zyra e Kryeministrit, “Vihet gurthemeli i projektit për rikonstruktimin e urës mbi Sitnicë”, komunikatë për media, 23 nëntor 2026.
Bota Sot, “700 mijë euro për renovimin e urës mbi lumin Sitnica në Mitrovicë”, 23 nëntor 2026. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/2553188/700-mije-euro-per-renovimin-e-ures-mbi-lumin-sitnica-ne-mitrovice/ Deklaratat e kryetarit Peci dhe ministrit Krasniqi për rëndësinë, pamjen dhe afatin e projektit.
Radio Evropa e Lirë, “Ura e Ibërit: si dhe kur mund të hapet?”, 7 gusht 2024. https://www.evropaelire.org/a/ura-e-ibrit-si-dhe-kur-mund-te-hapet-/33069381.html Konteksti i ndarjes së Mitrovicës dhe i debatit për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.


